Saturday, 28 April 2007

Kuptimi dhe Interpretimi i Konceptit për “Sigurinë Gjithëpërfshirëse”

Kuptimi dhe Interpretimi i Konceptit për “Sigurinë Gjithëpërfshirëse”

Në oqeanin e problemeve që ka politika kosovare do të jetë edhe çështja e sigurisë. Njëra nga çështjet kyçe me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e Kosovës ka të bëjë me politikën e Sigurisë dhe rëndësinë që ka ajo. Nocioni Siguri rrjedh nga fjala latine “securitas“ që do të thotë, pa shqetësime dhe preokupime, gjegjësisht shmangie nga pasiguria, evitimi nga kërcenimi dhe rrezikimi i pasigurisë, poashtu përfshihet edhe mbrotja e qytetarëve nga kriminaliteti, esktremizmi politiko/religjioz, terrorizmi etj. Më e rëndësishmja është sigurimi i sistemit politik nga armiqtë e brendshëm. Nga ana tjeter, termi Politika e Sigurisë nënkupton që të gjitha shtetet sovrane, ndjekin zhvillimet politike-diplomatike dhe merren me masat për rruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë së jashtme dhe të brendshme, që ka për qëllim pacenueshmërinë politike dhe ekonomike të një shoqërie e që garanton mbrojtjen nga kërcënimet dhe sulmet nga jashtë. Për këtë gje shërbejnë format klasike si politika e demonstrimit të forcës , paktit politik ,kontrolli mbi armatimin si dhe politika e çarmatimit.
Sistemi politik botëror gjatë luftës së fohtë ka qenë i karekterizuar nga dy fuqi të mëdha boterore, qe do të thotë sistem bipolar, pra shkolla teorike e realistëve/neorelistave ishin për ruajtjen e “Balance of Power” që nënkupton se ”Siguria” ka qenë thuajse vetëm në dy rafshe e koncentruar në atë “ushtarak” dhe “politik”, sepse kjo shkollë teorike përfaqëson tezën se të vetmit aktor të politikës ndërkombetare duhet të jenë shtetet sovrane. Qe nga perfundimi i luftës së ftohtë konstelacioni i sistemit politik ndërkombëtar është në udhëkryq. Konceptet dhe strategjitë e ndryshme që vite me radhë siguronin një “Paqe funksionale” dhe “befas” pas rënies së sistemit bipolar, këto strategji dhe koncepte si epilog i tërë kësaj janë të papërdorshme. Nga kjo pikpamje fundi i Lufteë së Ftohtë sjell me veti edhe shumë ndryshime të “befasishme” si p.sh. rënia e murit të Berlinit, fundi i Paktit të Varshavës, rënia e komunizmit në Evropën Juglindore, shpartallimi i Bashkimit Sovjetik, Luftërat në ish Republikat e Bashkimit Sovjetik dhe në Ballkan, pra ndryshimi i formës së luftërave nga ajo simetrike në asimetrike. Në një anë, Krimi i Organizuar gjen mënyra që të riorganizohet dhe zgjerohet sa më mirë, p. sh. për shkak të kapitalit që kishte, shfrytëzonte shtetet e Evropës Junglindore që ishin në tranzicion, për biznese të ndryshme, pra “pastrimin e parave” etj, që le të kuptohet se Krimi i Organizuar Transnacional paraqet kërcënim serioz si për sigurinë nacionale dhe ndërkombetare (duke pasur parasysh jo vetëm kërcënimet në fushën e Sigurisë por edhe në Fushën e ekonomisë, politikës, shoqërisë etj). Nga ana tjetër zgjerimi i Evropës ka një kontinuitet (tashmë 25 shtete jane anëtare të Bashkimit Evropian) dhe me këtë kuptimi i kufinjëve nacional ngadalë po e humb kuptimin klasik. Me këto ndryshime vjen deri te liberalizmi i tregut, liria e lëvizjes së njerëzve etj. Nga ky realitet i krijuar, kuptimi tradicional i “State Security” ndryshon thelbësisht, kuptimin dhe domethënien, për shkak të spektrit të gjërë të kërcënimeve globale: Krimi i Organizuar, Terrorizmi në rritje e sipër, sidomos mbas 11 shtatorit 2001, varfëria, pandemitë, migracioni, katastrofat klimatike, proliferacioni, resurset natyrore, Cyber- War etj. Nga ky këndvështrim në debatin akademik kërkohet një zgjerim i definicionit të sigurisë për shkak të kërcnimeve të shumta globale. Sidomos në fillim të vitive të 80’ Joseph S. Nye pohon se “Siguria është më shumë se vetëm një çështje ushtarake” (“Security is more than a military matter”). Ndërsa në fillim të viteve 90’ shumë akademikë elaborojnë se kërcënimet e ardhshme në rend të parë do të jenë të “NATYRËS JO-USHTARAKE”, vetëm pjesërisht ato do të mund të evitohen me mjete ushtarake. Lidhur me kete teoricientët e sigurisë si Buzan, Weaever, De Wilde: mundohen të riformulojnë, gjegjësisht rekomandojnë, një koncept të ri me termin “Siguria Gjithpërfshirëse”. Në këtë kontekst autorët mbrojnë tezën se prej Institucioneve, akterëve e deri te individi gjithcka është siguri (“everything is security”). Pra cili eshte qellimi i ketij koncepti? Parimisht qëllimi i këtij kocepti është mbrojtja nga kërcënimet e ndryshme (p.sh. ushtarake, politike, ekonomike, sociale, shoqërore dhe të ambientit) si për popullatën në tërësi poashtu edhe për individin. Pra sipas Sektorëve dhe niveleve ekzistojnë akterët, kërcënimet dhe masat e ndryshme. Nga kjo pikpamje “Siguria Gjithpërfshirëse” karakterizohet me pesë sektorë:
1. Sektori Ushtarak – ka te bëjë me Doktrinën ushtarake, Forcat e armatosura, aftësitë e shtetit etj. Ky sektor angazhohet kryesisht per ruajtjen e rregullit shtetëror nga kërcënimet ushtarake te brendshme(rregullimi shoqëror, grupet militante revulucionare, integriteti territorial etj) dhe te jashtme (ushtritë e huaja, grupet diversante etj). E sidomos mbas Luftes se Ftohtë nga rreziqet e natyrës jo-ushtarake si migracioni, ideologjitë, terrorizmi, krimi i organizuar etj. Me këtë, në mënyre implicite kuptohet se ky sektor parimisht përfshin vetëmbrojtjen e shtetit në tërësi.
2. Sektori Politik – Ky sektor përqendrohet ne disa pika: Stabilitetin e Shtetit, Sistemin e Qeverisjes, Legjitimitetin dhe Sovranitetin. Ky sektor angazhohet vetëm me kercënimet e natyres Jo-ushtarake te sovranitetit, sepse vetem sovraniteti i plotë e definon shtetin si shtet (sipas Jean Bodin). Prandaj kërcënimet politike, ideologjike, etnike, religjioze etj, mund ta vënë ekzistencen e shtetit ne pyetje. Ky sektor me një fjale mbërthen dhe ruan/mbron raportet politike, shoqerore dhe vete ekzistencen e shtetit.
3. Sektori Ekonomik – Angazhohet rreth resurseve, financave, tregut, mireqenies sociale etj. Rreziqe në këtë pikë janë rritja e popullsise në mënyrë të pakontrolluar (ose migracioni nga shtetet fqinje) që mund te vie edhe deri te “lufta për vende të punës”, kercënimet nga tregu global, që nënkupton jo-stabilitetin e sistemit financiar, papunësinë, varfërinë (sot jetojne diku rreth 1.8 Miliarde njerez ne Bote, me me pak se 1$ ne dite), si dhe Krimi i Organizuar. Ndersa si detyre primare e ketij sektori eshte”basic human needs” p sh. Ushqimi ose sipas Jean Ziegler “Food security” (sepse 40 Million njerez vdesin cdo vit per shkak te mungeses se ushqimit), Emancipimi/shkollimi i shoqerise, ruajtja e vendeve te punes, qarkullimi i lire i mallrave, kapitalit dhe punes, lejimi i shrytezimit te resurseve ne bazë te interesit.
4. Sektori Shoqeror- mberthen identitetin e shoqerise ose identitetin kolektiv, i cili mund te ekzistoj edhe i pavarur nga shteti (p sh. populli, religjoni). Barrry Buzan e shikon Migracionin më shumë si nje kerëcnim per vetë shoqerinë se sa per Shtetin, sepse ne këtë menyrë mundet te ndryshojë shoqeëia nga brenda (p sh. 40% te popullsise te Estlandes jane Rusë ,në SHBA jetojne diku reth 40 mil Latino-amerikan, 37 mil. Afro/amerikan dhe 13 mil. Aziatik) Si detyrë primare e ketij Sektori eshte mbrojtja e identitetit të perbashkët.
5. Sektori i Ambientit – Qëllim kryesor ka ruajtjen e resurseve natyrore (p sh. energjine, ujin, pyjet etj) mbijetesen e florës dhe faunes. Nje term i cili nga Kombet e Bashkuara është definuar edhe si “Human Environment” pra edhe Ambienti gjegjesisht hapsira e jetes se qytetarve eshte me rendesi te madhe. Ëshë i vetmi sektor ku mund te thuhet se karekterizohet me kercnime pa armiq p.sh. termetet, vullkanet, katastrofat natyroro/klimatike, si dhe nga aktivitet njerzore p sh. nga industritë ushtarako- nukleare. Sektori i Ambientit merret edhe me te ashtuquajturat “disaster scenarios” p.sh. Cernobili, ose pandemitë si Gripi i shpezëeve etj. Detyra primare e ketij sektori mbetet mbrojtja e Ambinetit per te gjithe (si ne aspektin lokal, rajonal dhe global).
Ky vështrim shumëdimensional i problemeve te krijuara, lë që të nënkuptohet se ndoshta kjo eshte njera prej arsyeve pse “shoqerite perendimore” jane zhvilluar deri ne këtë shkallë, sepse sprektri i kercënimeve ekzistenciale ka angazhuar këto shtete ne te gjitha keto dimensione p sh. ne Shtetin juridik, te drejtat e njeriut, individualizmin, lirinë fetare, pakicat, liberalizimin e tregut, mireqenien sociale, kualitetin dhe hapsirat e sigurta për jetë etj.

No comments: