Saturday, 23 February 2008

Konstelacioni politik dhe zhvillimi global

Konstelacioni politik dhe zhvillimi global


Çdo konstelacion politiko-juridik në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka pasur fituesit, dhe humbësit e vet. Shumica e shkencëtarëve veçojnë në marrëdhëniet ndërkombëtaren katër sisteme: Sistemi i Vestfafilsë 1648, Sistemi i Koncertit të Evropës 1815, Sistemi i Versajës 1919 dhe Sistemi i luftës së Ftohte 1945- 1990. Për shkak të hapësirës së kufizuar, analiza ime do të koncentrohet vetëm një çikë gjatë luftës së ftohtë dhe me një fokus të veçantë mbas viteve të ‘90-ta
Sistemi politik botëror gjatë luftës së ftohtë ka qenë i karakterizuar nga dy fuqi të mëdha botërore, që do të thotë sistem bipolar, pra shkolla teorike e realistëve/neorealistave ishin për ruajtjen e “Balance of Power” që nënkupton se ”Siguria” ka qenë thuajse vetëm në dy rrafshe e koncentruar në atë “ushtarak” dhe “politik”, sepse kjo shkollë teorike përfaqëson tezën se të vetmit aktor të politikës ndërkombëtare duhet të jenë shtetet sovrane. Nga këndvështrimi i Kenneth Waltz të gjitha shtetet në arenën ndërkombëtare përpiqen për më shumë pushtet dhe siguri. Që nga përfundimi i luftës së ftohtë konstelacioni i sistemit politik ndërkombëtar është në udhëkryq. Konceptet dhe strategjitë e ndryshme që vite me radhë siguronin një “Paqe funksionale” dhe “befas” pas rënies së sistemit bipolar, këto strategji dhe koncepte si epilog i tërë kësaj janë të papërdorshme. Nga kjo pikëpamje fundi i Luftës së Ftohtë sjell me veti edhe shumë ndryshime të “befasishme” në marrëdhëniet ndërkombëtare si p.sh. rënia e murit të Berlinit, fundi i Paktit të Varshavës, rënia e komunizmit në Evropën Juglindore, shpartallimi i Bashkimit Sovjetik, Luftërat në ish Republikat e Bashkimit Sovjetik dhe në Ballkan, pra ndryshimi i formës së luftërave nga ajo simetrike në asimetrike.
Në një anë, Krimi i Organizuar gjen mënyra që të riorganizohet dhe zgjerohet sa më mirë, p. sh. për shkak të kapitalit që kishte, shfrytëzonte shtetet e Evropës Juglindore që ishin në tranzicion, për biznese të ndryshme, pra “pastrimin e parave” etj, që nënkuptohet se Krimi i Organizuar Transnacional (tejëkombëtar) paraqet kërcënim serioz si për sigurinë nacionale dhe ndërkombëtare (duke pasur parasysh jo vetëm kërcënimet në fushën e Sigurisë por edhe në Fushën e ekonomisë, politikës, shoqërisë etj).
Nga ana tjetër zgjerimi i Evropës ka një kontinuitet (tashmë 27 shtete janë anëtare të Bashkimit Evropian) kështu që kuptimi i kufijve nacional dalëngadalë po e humb kuptimin klasik. Me këto ndryshime vjen deri te liberalizmi i tregut, liria e lëvizjes së njerëzve etj. Nga ky realitet i krijuar, kuptimi tradicional i “State Security” ndryshon thellësisht, kuptimin dhe domethënien, për shkak të spektrit të gjerë të kërcënimeve globale: Krimi i Organizuar, Terrorizmi në rritje e sipër, sidomos mbas 11 shtatorit 2001, varfëria, pandemitë, migracioni, katastrofat klimatike, shpërndarja e armëve ABK (Atomike, biologjike dhe kimike), resurset natyrore, Cyber- War etj. Nga ky këndvështrim në debatin akademik kërkohet një zgjerim i definicionit të sigurisë për shkak të kërcënimeve të shumta globale. Sidomos në fillim të viteve të 80’ Joseph S. Nye pohon se “Siguria është më shumë se vetëm një çështje ushtarake” (“Security is more than a military matter”). Ndërsa në fillim të viteve ‘90 shumë akademikë elaborojnë se kërcënimet e ardhshme në rend të parë do të jenë të “NATYRËS JO-USHTARAKE”, vetëm pjesërisht ato do të mund të evitohen me mjete ushtarake.
Politika e ashtuquajtur „new world order“, e cila mbas vitit 1990 në shumë Aspekte si politike, ekonomike dhe ushtarake, fillon të ndryshojë fotografinë botërore.(për shembull lufta e Gjirit Persik kundër Irakut, njëkohësisht shfaqen shume luftëra rajonale dhe etnike për shkak te shpërbërjes se Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë). Në këtë mënyrë nuk ka një kontinuitet që të ketë një bote të barabartë të paktën në aspektin ekonomik, sepse në glob ka shume varfëri, ku si pasojë: 40 million njerëz vdesin ç’do vit për shkak të mungesës se ushqimit.
SHBA-të po thuaj se kanë mbetur e vetmja superfuqi ushtarako-teknologjike(që mundë të reagojë, veprojë në çdo kohë, moment dhe në çdo vend). Sipas Erich Reiter(ekspertit austriak për politika të sigurisë) Evropës do ti duhet ndoshta edhe 10 deri 15 vite që të munden t’i afrohen kapaciteteve dhe mundësive ushtarako-teknologjike si të SHBA-së por shton se si duhet një guxim dhe vizioni i qartë në politiken e jashtme. Megjithëkëtë, në sipërfaqen globale shfaqen përkatësisht dëshirojnë të rikthehen në skenën politike si Rusia(në fakt ëshë një fuqi e madhe ushtarake, pjesërisht me teknoligji të vjeteruar), Kina dhe Japonia, po ashtu Pakistani dhe India si fuqi rajonale për shkak të posedimit të armeve nukleare.
Ndërsa, që nga viti 1999 mbas përfundimit të luftës në Kosovë gjegjësisht pas bombardimeve të NATO-s kundër caqeve Serbe(pas kapitullimit serb), pothuaj se ndërron, jo vetëm konstelacioni politik në Ballkan, por edhe me gjërë(në 2007Rumania dhe Bullgaria integrohen ne UE, ndërsa nga ana tjetër Mali i Zi shpallet shtet i pavarur). Për momentin kosovarët janë në pritje të shpalljes së pavarësisë, pra do të krijohet shteti më i ri në Botë, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia jane ne pritje te antarsimit në Nato. Ndërsa si vend më problematik në Ballkan ka mbetur Serbia dhe e ardhmja e saj ende e pa definuar, në kontekstin e të kuptuarit të relacionit: në lindje me Rusinë apo në perëndim me Evropën.
Deri tash Evropa nuk ka treguar ndonjë seriozitet politik e as ushtarak, për shembull Erfard Busek shton, se me çfarë do ta kërcënonte Havier Solana ndonjë shtet? Kur nga një ane i mungojnë kompetencat politiko-juridike dhe nga ana tjetër kapacitet ushtarake , sepse Evropa ende nuk ka një unifikim të politikës së jashtme, kjo tregon se në rastin e Luftës në Irak në vitin 2003 kur interesat e ShBA-ve dhe një pjesë e evropianëve(sidomos Franca dhe Gjermania kane qenë kundër luftës në Irak, që do të thotë se nuk e kanë mbështetur as financiarisht e as ushtarakisht) u ndanë për shkak të interesave të tyre nacionale, që do te thotë se janë çështje primare(në vitin 2008 kemi një Traktë bashkëpunimi të UE, por jo edhe Kushtetutë. Me siguri në të ardhmën kjo do të jetë si një llojë dere e hapur për të aritur deri te kushtetuta e Evropës). Ose për shembull ne Konfliktin palestinezo- izraelit, edhe pse evropianet janë donatoret më të mëdhenj nuk gëzojnë respekt te asnjëra palë, thjesht nuk “akceptohen” si faktor serioz. Jean Ziegler është i mendimit se me shembullin e luftës së Bosnjës, më shumë se 21 muaj Sarajeva ka qenë e rrethuar dhe është bombarduar nga forcat Serbe. Kjo do me thënë për Jean Ziegler: paaftësi totale e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ku si pasojë e kësaj paaftësie kemi edhe Masakrën e Srebrenicës (rreth 8.000 njerëz të masakruar). Ndërsa në rastin e Kosovës diku rreth 1. Milion të depërtuar prej 10.000 deri ne 15.000 të masakruar dhe mbi 2.500 të zhdukur përsëritet e njëjta histori e Kombeve të Bashkuara dhe BE-së. Në Ballkan tashmë shumë shtete veç janë anëtare të BE-së e disa janë në negociata për asocim dhe stabilizim (Kroacia, Bosnja, Maqedonia Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova). Turqia i ka synimet e veta po ashtu në BE, përpiqet me reforma të ndryshme ta bindë BE-në se është e gatshme për integrim të plotë.
Nga prizmi Amerikan mbas 11. 09. 2001 siguria ndërkombëtare ka ndryshuar rrënjësisht dhe është bërë shume e rrezikshme për shkak të armikut asimetrik që mundë të operoj edhe nga territori i SHBA-ve. SHBA-të momentalisht janë në „gjendje lufte“ në Irak dhe Afganistan, ndërsa një konflikt me Iranin troket në derë, për shkak të programit Bërthamor Iranian. Nga një aspekt janë kufizuar të drejtat e njeriut sidomos me „patriot act“ në SHBA ku nëse dyshohet një person si “terrorist i mundshëm” i lejohet shërbimeve të inteligjencës që ai ose ajo të përgjohet edhe pa lejen e gjyqit. Terrorizmi shfaqet edhe në Evrope me disa sulme të fuqishme si në Madrid dhe në Londër(që për herë të parë goditet aq forte të gjithë opinionin Spanjoll dhe Britanez). Mesazhi i vetëm çka bën Al-Qaida është të sjell dhe mbjell te njerëzit frikë gjegjësisht pasiguri.
Ndërsa shtetet më të rrezikuara nga terrorizmi dhe lufta guerile janë në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, sidomos konflikti palestinezo-izraelit, izraelito-libanez-sirian, turko-kurd (Turqi, Irak, Afganistan, Pakistan Indi, Izrael, Arabia Saudite etj.) por edhe në Afrike dhe në disa shtete të Azisë ka sidomos probleme me shtetet e dështuara(failld states). Korea Veriore dhe Irani paraqesin një rrezik jo vetëm për SHBA-te, por për tërë vendet demokratike dhe zhvillimin e demokracisë në Rajon. Kina paraqitet ose të paktën mundohet të bëhet një “superfuqi” si ekonomike dhe ushtarake. Problemi i Taiwanit mbetet ende i pazgjidhur, për shkak të kërcënimit Kinez me luftë. Japonia si një fuqi ekonomiko-teknologjike dëshiron që të bëjë reforma në Kushtetutë për formimin e një ushtrie moderne. Rusia mbas disa viteve ne „stand by“ në skenën ndërkombëtare, ka një rritje të GDP-së për shkak të resurseve natyrore(sidomos gazit). Me këtë rritje të ekonomisë dhe resurseve natyrore, Rusia dëshiron prapë të jetë prezent në skenën ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm dhe Partner në lojën globale(por ka edhe shumë probleme të brendshme si për shembull në Çeçeni, me Gjeorgjinë dhe me disa republika tjera). Rusia si një mjeshtre e vjetër e diplomacisë, per shkak të avantazhit të resurseve natyrore(gazit natyror), e shfrytëzon më së miri pasigurinë dhe paaftësinë Evropiane sidomos në problemin e Kosovës, po ashtu dhe debatin rreth sistemit mbrojtës raketor që do të vendosen në Poloni dhe Çeki nga SHBA-të etj. Për Robert Kagan Rusia dhe Evropa janë fqinjë gjeografik, por nga konteksti gjeopolitik BE-ja gjendet në shek. e 21-të, ndërsa Rusia në shek. 19. Sepse BE-ja bazohet në shtetin ligjor dhe institucione, ndërsa Rusia në fuqinë tradisionale (ushtarake).
Nga ky aspekt, BE gjendet në një udhëkryq! Te bashkëpunojë me SHBA-të (si udhëheqëse globale) sa më ngushtë, ose të bashkëpunoje me vende me më pak demokraci të zhvilluar si Rusia apo Kina, ose të mundohen me nje lloj politike multilaterale që të gjithë lojtaret global të jenë në një relacion politik. Në marrëdhëniet ndërkombetare në esencë ka vetëm interesa dhe llogaritje. Por kur jemi te zgjedhja, nëse duhet të zgjedhim, atëherë duhet të bazohemi te arsyea dhe pragmatizmi.
Po të bënim pyetje, pse SHBA-të dhe BE-ja do të ishin më të përshtatshme dhe më të afta për të udhëhequr me problemet globale, se sa Rusia, Kina apo Irani etj?
Sepse shtetet përrendimore: kanë rregullat, parimet, sistem politik shumë të avancuar demokratik (Shtetin juridik), liritë individuale, liritë fetare, të drejtat e njeriut, mbrojtja e pakicave, liberalizimin e tregut etj. Këto shtete edhe në të kaluarën e kanë deshmuar, sidomos mbas luftës së dytë botërore, me rindërtimin e shtetve evropiane e posaçërisht Gjermanisë, me planin Marshall dhe rimëkëmbjen e Japonisë dhe deri në ditët e sotme si ne aspektin humanitar, ekonomik, politik, ushtarak dhe ne rindërtimin e shtetve dhe paqes në vendet si: Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Afganistani etj. Pra përpiqen, orvaten dhe mundohen të krijojnë shtete stabile, paqësore, të lira dhe me shoqëri prosperuese.
Literatura:
- Busek, Erhard (2001): Krise ohne ende? – Konfliktherde am südlichen Rand Europas. Der Stabilitätspakt als Chance für eine umfassende Sicherheit Südosteuropas? S.203-204. In: Roithner, Thomas: Wie sicher ist Europa? Perspektiven einer zukunftsfähigen Sicherheitspolitik nach der Jahrhundertswende. Österreichisches Studienzentrum für Frieden und Konfliktlösung (Hrsg.) Agenda. Münster
- Dunne, Timm, Schmid .C, Brain(2001): Realism. F.141-149. In: Baylis, John, Smith, Steve (Ed.): The Globalization of World Politic. An introduction to international relation. 2.Ed, New York, 2001
- Fukuyama, Francis(1992): Das Ende der Geschichte. Wo stehen wir? Kindler Verl. München
- Gärtner, Heinz (2005): Internationale Sicherheit. Definitionen von A-Z. Nomos. Baden-Baden
- Morgenthau, Hans(1963): Macht und Frieden. C. Bertelsmann, Gütersloh
- Nye, Joseph S., (1974): Collective Economic Security, International Affairs. Vol. 50, No. 4, 1974, S. 585. In: http://www.glow-boell.de/media/de/txt_rubrik_3/Debiel_autorisiert.pdf
- Schneckener, Ulrich (2005): Die Zivilmacht Europa und die prä- westfälische Herausforderung. SWP Berlin
- Waltz, Kenneth(1979): Theory of International Politics. McGraw-Hill
- Williams, Phill(1993): Transnational Criminal Organization and International Security. fq. 317. In: http://www.rand.org/publications/MR/MR880/MR880.ch14.pdf
- Wittmann Fritz(1993): Nationale Sicherheitsinteressen in globaler Verpflichtung. fq. 10. In: Politische Studien. Sonderheft 9/1993: Strategien für die Zukunft. Brauhen wir eine neues Denken in der Sicherheitspolitik. Atwerb-Verlag KB, Grünwald
- Ziegler Jean (2005): Globalisierung. Das Imperium der Schande. Der Kampf gegen Armut und Unterdrückung. C. Bertelsmann. München

1 comment: